Pepe Habichuela, një prej figurave më të rëndësishme të muzikës flamenco dhe një emër i njohur i traditës muzikore spanjolle, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Kitaristi i njohur ndërroi jetë më 4 gusht 2026, duke lënë pas një karrierë artistike prej më shumë se gjashtë dekadash dhe një trashëgimi të rëndësishme në muzikën flamenco.

I lindur në Granada në vitin 1944 me emrin José Antonio Carmona Carmona, Pepe Habichuela i përkiste familjes së njohur Habichuela, një prej dinastive më të rëndësishme të flamenkos.

Karrierën e tij e zhvilloi veçanërisht pas transferimit në Madrid gjatë viteve 1960, ku bashkëpunoi me disa prej emrave më të mëdhenj të zhanrit, përfshirë Camarón de la Isla, Enrique Morente dhe Juanito Valderrama.

Habichuela u vlerësua për teknikën, ndjeshmërinë muzikore dhe mënyrën se si arriti të ndërthurte traditën e flamenkos me elemente moderne. Kontributi i tij ndihmoi gjithashtu në zgjerimin e këtij zhanri përtej kufijve tradicionalë.

Trashëgimia e tij artistike vazhdoi edhe përmes djalit të tij, Josemi Carmona, një prej themeluesve të grupit të njohur Ketama.

Gjatë karrierës, Pepe Habichuela u nderua me çmime dhe vlerësime të shumta për kontributin e tij në art dhe kulturë. Ai do të kujtohet si një prej virtuozëve të mëdhenj të kitarës flamenco dhe si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të traditës muzikore andaluziane.

Vdekja e tij shënon humbjen e një prej figurave që i kushtoi më shumë se gjashtë dekada ruajtjes dhe zhvillimit të shpirtit autentik të flamenkos. /TAR/