Aktori i njohur turk Doğukan Güngör, i njohur për rolin e Fatih Ünal në serialin Kızılcık Şerbeti u ndalua së fundmi gjatë një operacioni të gjerë antidrogë të zhvilluar nga autoritetet turke ndaj personazheve të njohur.

Sipas mediave turke, rreth orës 03:00 të mëngjesit, në banesën e aktorit u zhvillua një kontroll nga policia, pas së cilit Güngör u shoqërua në Drejtorinë e Narkotikëve në Halkalı. Ndërhyrja ishte pjesë e një hetimi të drejtuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit, e cila u shtri në katër qytete të Turqisë.

Për shkak të numrit të madh të personave të ndaluar, marrja e deklaratës së aktorit u shty për më vonë. Pas dhënies së deklaratës dhe kryerjes së testeve përkatëse në Institutin e Mjekësisë Ligjore, mediat raportojnë se Doğukan Güngör është liruar, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.

Në total, gjatë operacionit u ndaluan 26 persona, mes tyre edhe menaxheri Haluk Şentürk dhe influenceri Burak Altındağ. Mësohet se kompania producente e Kızılcık Şerbeti, Gold Film, i ka ofruar aktorit mbështetje ligjore përmes avokatit të saj.