Përmes një postimi në rrjetet sociale, familja e artistit të ndjerë Shpat Kasapi, ka dalë me një reagim publik pas humbjes së parakohshme të këngëtarit.
Ata falenderuan miqtë, kolegët dhe publikun për ngushëllimet dhe mbështetjen që u dhanë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Falë jush, kujtimi i Shpatit u nderua ashtu siç e meritonte, me dashuri dhe me mirënjohje”, shkruajnë ata, ndërsa shtojnë se ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e këngëtarit, por për të gjithë komunitetin artistik shqipfolës dhe për të gjithë ata që e deshën artin dhe muzikën e tij.
“Ikja e tij në amshim është një humbje e madhe, jo vetëm për ne si familje, por për gjithë komunitetin artistik shqipfolës dhe për të gjithë ata që e deshën artin dhe muzikën e tij. Jeta është e tillë — jetojmë sot, por nesër mund të ikim — dhe pikërisht për këtë arsye, kujtimet e bukura mbeten pasuri e përjetshme”.
Kujtojmë se Shpat Kasapi, ndërroi jetë pas një sulmi në zemër, duke lënë pas familjen e tij, përfshirë djalin trevjeçar nga martesa e tij me Selvije Jaon.
Postimi i plotë i familjes Kasapi:
Të dashur familjar, miq, kolegë, dhe të gjithë ju, publik e dashamirë të muzikës së Shpatit
Në emër të familjes sonë, ju falënderojmë nga zemra secilin prej jush për mbështetjen, ngushëllimet dhe respektin që na keni dhënë në këto ditë të rënda. Falë jush, kujtimi i Shpatit u nderua ashtu siç e meritonte, me dashuri dhe me mirënjohje.
Ikja e tij në amshim është një humbje e madhe, jo vetëm për ne si familje, por për gjithë komunitetin artistik shqipfolës dhe për të gjithë ata që e deshën artin dhe muzikën e tij. Jeta është e tillë — jetojmë sot, por nesër mund të ikim — dhe pikërisht për këtë arsye, kujtimet e bukura mbeten pasuri e përjetshme.
Buzëqeshja dhe energjia e Shpatit do të mbeten gjithmonë dritë për ne. Ju falënderojmë pafund për praninë tuaj, për fjalët e ngrohta, për lutjet dhe për respektin që i kushtuat.
Me mirënjohje të thellë,
Familja Kasapi
