Futbolli i Afrikës së Jugut është në zi pas ndarjes nga jeta të mesfushorit Jayden Adams, i cili ndërroi jetë në moshën 25-vjeçare, vetëm disa javë pasi përfaqësoi vendin e tij në Kupën e Botës 2026.
Lajmi u konfirmua të shtunën nga Unioni i Futbollistëve të Afrikës së Jugut (SAFPU), i cili e cilësoi vdekjen e Adams si një humbje të jashtëzakonshme për familjen, shokët e skuadrës dhe gjithë futbollin e vendit.
Pak javë para fillimit të Botërorit, partnerja e tij, Aqueelah Adendorf, me të cilën kishte një vajzë 5-vjeçare, i kishte dedikuar një mesazh prekës në rrjetet sociale.
“Të shoh ty duke arritur diçka kaq të madhe ma ka mbushur zemrën me krenari. Kam parë gjithë sakrificat, punën e palodhur, zhgënjimet dhe momentet që askush tjetër nuk i pa. Ti nuk u dorëzove kurrë dhe tani po përfaqëson vendin tënd në ekipin kombëtar”, shkruante ajo.
Pas lajmit tragjik, Adendorf publikoi një tjetër mesazh emocional.
“Nuk ka fjalë që ta përshkruajnë dhimbjen që po ndiej. Prehu në paqe, dashuria ime. Faleminderit për çdo kujtim, çdo të qeshur, çdo përqafim dhe çdo moment që ndamë bashkë. Ti nuk ishe vetëm dashuria e jetës sime, por edhe mbështetësi dhe miku im më i mirë. Të dua përgjithmonë”, shkroi ajo.
Adams ishte pjesë e përfaqësueses së Afrikës së Jugut në Kupën e Botës 2026 dhe luajti në të tre ndeshjet e fazës së grupeve, duke ndihmuar ekipin në rikthimin historik në Botëror pas 16 vitesh mungesë.
Karrierën profesioniste e nisi në vitin 2020 me Stellenbosch FC, ndërsa më pas u bë pjesë e Mamelodi Sundowns, ku u shndërrua në një nga talentet më premtues të futbollit afrikan.
Pas vdekjes së tij kanë reaguar shumë figura të futbollit dhe autoritete të Afrikës së Jugut. Ministri i Sportit, Gayton McKenzie, e quajti Adams “një nga talentet më të ndritura të futbollit të vendit” dhe u bëri thirrje qytetarëve të shmangin spekulimet, pasi shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik.
Vdekja e Jayden Adams ka tronditur botën e futbollit, ndërsa familja, miqtë dhe tifozët vazhdojnë të presin sqarime mbi rrethanat e kësaj humbjeje të papritur.
