Italia është në zi pas ndarjes nga jeta të Mariangela Spedicato, një nga gratë e para që veshi uniformën e Arma dei Carabinieri. 51-vjeçarja, me gradën Luogotenente, u shua pas një beteje të gjatë me një tumor që e kishte detyruar të dilte në pension të parakohshëm.
Spedicato ishte pjesë e brezit të parë të grave që hynë në radhët e karabinierëve përmes konkursit kombëtar të hapur për femrat. Me përkushtim dhe vendosmëri, ajo arriti të bëhej një nga nënoficeret e para femra në Itali, duke shërbyer në disa detyra të rëndësishme, veçanërisht në rajonin e Venetos.
Krahas karrierës ushtarake, ajo kishte përfunduar edhe studimet në Psikologji, duke sjellë në shërbim një qasje njerëzore dhe të ndjeshme, që e bëri të vlerësohej si nga kolegët ashtu edhe nga qytetarët. Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin e Carmianos.



