Stilisti i njohur, Niko Komani, ishte ditën e sotme në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Live From Tirana”, për të komentuar dasmën më të përfolur të momentit, të Genar Topallit dhe Cindy Marinës.
Komani tregoi disa nga detajet e kësaj dasme madhështore, e cila u celebrua në Romë. Ai u shpreh se modelja e njohur ka patur 5 fustane, jo 1 që kemi parë deri më tani në rrjetet sociale.
Stilisti shtoi se të ftuarit ishin të veshur me të zeza pasi sipas tij, duhej që e gjithë vëmendja të ishte te nusja dhe dhëndri.
Pjesë nga intervista:
Cili ishte detaji që ty të tërhoqi më shumë vëmendjen nga ana e të bukurës, duke qenë se ti merresh me modën, me stilimin?
Faktikisht jam kurioz akoma, duke qenë se kanë qenë 5 fustane dhe jo 1
Pesë?
Po, ne kemi parë vetëm 1. Por kanë qenë 5 që ne ose do t’i shohim më vonë ose do të rrinë privat si gjithë mbrëmja. Më pëlqeu natyraliteti i Cindy-t, edhe pse nuk prisja diçka ndryshe. Më pëlqeu thjeshtësia, pastërtia. Di që je shumë kurioz se pse janë veshur të gjithë me të zeza.
Po pra, më bëri përshtypje se në një moment gjatë kurorëzimit, shoqëruesit në dasmë, të ftuarit janë të gjithë me të zeza. Është kjo fotografia te shkallët.
Sepse ishte ftesa që të visheshin me kostum, me kravatë, me papion, pra me të zeza, me të errëta.
Po meshkujt i kuptoj, po pse edhe gjinia tjetër? Se zakonisht e zeza nuk preferohet shumë në dasma.
Mendoj se e kanë bërë që të tërheqë vëmendjen vetëm nusja dhe dhëndri. Di të them se kënga e tyre zyrtare ishte ‘I find my Love in Portofino” pasi aty ka qenë edhe propozimi i dasmës.
Nga ana tjetër, si t’u duk dhëndri, kostumi që kishte zgjedhur, një lule shumë klas, të bukur, të bardhë që mbante te xhepi i tij. Nuk mbante atë shaminë tipike të vogël, të kuqe.
Si fillim mu duk tepër klas dhe tepër bukur. Për Genarin nuk është se kam folur në të kaluarën, por mund të them se nuk më është kurrë në jetën time kaq bukur sa te dasma. Mu duk një burrë tamam, se e kam patur në mendjen time si djali i Jozefinës, pra ‘ai djali’. Mund të them se deri tani mund të ketë qenë dasma më e bukur e vitit 2025.
Dua të pyes për një detaj, djali i Jozefina Topallit, pra Genari, mban një orë në dorë. Preferohet tek dhëndri që ditën e martesës në botën tuaj të modës, që të mbajë orë?
Po, mendoj mund të ketë qenë që të jetë i përpikët në kishë, por mundet të ketë qenë edhe një orë shumë e shtrenjtë.
E shtrenjtë është patjetër. Po aksesorët e Cindy-t janë të shtrenjta?
Normalisht, por mendoj se duhet të jetë ose diçka e trashëguar ose diçka tepër e re, moderne, e blerë apostafat për dasmë.