Nedra Talley Ross, një nga themelueset e grupit legjendar amerikan The Ronettes, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmi u konfirmua përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të grupit në Facebook.
“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin për ndarjen nga jeta të Nedra Talley Ross. Ajo ishte një dritë për ata që e njihnin dhe e donin,” thuhej në njoftim. “Si anëtare themeluese e The Ronettes, së bashku me kushërirat e saj Ronnie dhe Estelle, zëri, stili dhe shpirti i Nedrës ndihmuan në krijimin e një tingulli që ndryshoi muzikën përgjithmonë.”
Sipas vajzës së saj, Nedra K. Ross, ajo u nda nga jeta mëngjesin e së dielës, rreth orës 08:30, në shtëpinë e saj, e rrethuar nga familjarët. “Ajo ishte e sigurt në shtratin e saj, në shtëpi, me familjen pranë dhe duke e ditur se ishte e dashur,” shkroi ajo në Facebook. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.
The Ronettes u formuan në vitin 1963 dhe u bënë të njohura me hite si “Be My Baby” dhe “Baby, I Love You”, nën label-in Philles Records të Phil Spector. Grupi u shpërbë në vitin 1967 pas rënies së popullaritetit, por mbeti një nga formacionet më me ndikim në historinë e muzikës pop dhe R&B, si në stil ashtu edhe në modë.



