I ftuar në emisionin “Ndryshe” me Elona Duron dhe Salsano Rrapin ka qenë artisti i njohur Yll Limani. Në këtë intervistë ekskluzive në Top Albania Radio ai ka zbuluar shumë detaje jo vetëm sa i përket muzikës, albumit më të ri por edhe nga jeta personale dhe lidhjet. Këngëtari nuk u rezervua aspak me përgjigjet e tij të sinqerta.
A ndihet në presion Yll Limani që gjithmonë duhet të sjellë hite?
Presioni është aty, të gënjej nëse them që nuk është. Ndodh që dy ose tre ditët e para të humb pak rrugën kur shkoj në studio për të krijuar ndonjë projekt që ka për të dalë. Këto këngët ta hanë shpirtin sepse duhet që në pak minuta, në 2 minuta e pak sekonda ose në tre ti të thuash shumë gjëra dhe t’ju pëlqejë të gjithëve, për të bërë klikime dhe gjithçka. Fati im, pa dashur që të bëhet klishe është që unë jam i rrethuar nga njërëzit që gjithmonë më kujtojnë qëllimin që çfarë kemi për të bërë përmes muzikës. Disa pritshmëri duhet që t’i përmbushësh por sa herë që futesh në studio për të bërë një hit thjesht nuk del. Është diçka hyjnore, mendoj që nuk krijon je me një frekuencë hyjnore shumë afër me Zotin.
Këngët e mia më të suksesshme, hitet nëse mundet të them janë ato që kanë lindur dhe janë bërë për të na pëlqyer ne në studio. Ndryshe nuk do të kisha arritur që të bëja kaq shumë këngë që njerëzit i pëlqejnë.

