Këngëtarja e famshme, Rihanna, ka zbuluar detaje tronditëse nga incidenti me të shtëna me armë zjarri në rezidencën e saj në Beverly Hills, në fillim të muajit mars.

Sipas dëshmisë së saj, artistja ndodhej në një rimorkio në oborrin e shtëpisë në Los Angeles kur dëgjoi rreth dhjetë shpërthime të forta metalike. Fillimisht e paqartë për situatën, ajo kuptoi shpejt se bëhej fjalë për të shtëna me armë dhe se ndodhej në vijën e zjarrit.

Rihanna reagoi menjëherë duke zgjuar partnerin e saj, A$AP Rocky, ndërsa bërtiste “po na qëllojnë”. Për t’u mbrojtur, ajo e tërhoqi atë përtokë, duke u shtrirë edhe vetë për të shmangur rrezikun.

Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara nga “Daily Mail”, këngëtarja kishte marrë më parë kërcënime me vdekje në rrjetet sociale, por nuk ka lidhur drejtpërdrejt ndonjë incident të fundit me sulmin.

Në momentin e ngjarjes, tre fëmijët e çiftit ndodheshin brenda shtëpisë së bashku me nënën e Rihannës dhe anëtarë të stafit.

E dyshuara për sulmin është Ivana Lisette Ortiz, e cila akuzohet për hapjen e zjarrit me armë gjysmëautomatike drejt rezidencës. Ajo përballet me disa akuza të rënda, përfshirë 10 akuza për sulm me armë dhe tre për të shtëna në zonë banimi.