Një gjykatë në Los Angeles ka refuzuar kërkesën e këngëtares legjendare, Cher, për vendosjen e një kujdestarie të përkohshme mbi pasurinë e djalit të saj, Elijah Blue Allman.
Vendimi u mor më 24 prill, ku gjyqtari deklaroi se nuk ekzistonte “urgjencë e mjaftueshme” për të justifikuar një masë të tillë, duke e rrëzuar kërkesën pa paragjykim, çka i lë hapësirë artistes të aplikojë sërish në të ardhmen.
Allman, 49 vjeç, mori pjesë në seancë përmes një lidhjeje video nga një spital psikiatrik, ku aktualisht ndodhet në kujdestari, ndërsa përballet me disa akuza penale në dy çështje të ndryshme në New Hampshire. Sipas gjykatës, për shkak të situatës së tij aktuale dhe procedurave ligjore në vijim, ai nuk pritet të ketë akses të menjëhershëm në fondet që përfiton nga trusti i babait të tij të ndjerë, Gregg Allman.
Në kërkesën e saj, Cher kishte argumentuar se djali i saj është “në gjendje të rëndë” për shkak të problemeve me shëndetin mendor dhe varësinë nga substancat, duke pretenduar se çdo e ardhur financiare “shpenzohet menjëherë”, kryesisht për drogë dhe shpenzime të tjera të larta.
Gjyqtari theksoi se pagesat nga trusti janë kryer prej vitesh sipas një kalendari të njohur dhe se kërkesa e paraqitur pak para shpërndarjes së radhës nuk përbën emergjencë.
Kjo nuk është hera e parë që Cher ndërmerr një hap të tillë ligjor. Ajo kishte paraqitur një kërkesë të ngjashme në vitin 2023, të cilën më pas e tërhoqi, me qëllim fokusimin në përmirësimin e marrëdhënies familjare.


