Kai Trump, mbesa 19-vjeçare e presidentit amerikan Donald Trump, ka rrëfyer se si është gjyshi i saj në jetën e përditshme, duke e përshkruar marrëdhënien e tyre si të thjeshtë dhe familjare.

Kai, vajza e madhe e Donald Trump Jr. dhe Vanessa Trump, foli për marrëdhënien me gjyshin e saj gjatë një interviste për NewsNation, ku tha se pavarësisht statusit të tij, në familje ai sillet si çdo gjysh tjetër.

“Ai është një gjysh krejt i zakonshëm. Edhe unë e thërras thjesht gjysh. Kur ulemi për darkë, bisedojmë si çdo familje tjetër”, tregoi ajo.

Sipas Kai, darkat familjare me Trump janë të qeta dhe bisedat nuk lidhen gjithmonë me politikën apo jetën publike.

“Është sikur të flasësh me gjyshin tënd ose me cilindo anëtar tjetër të familjes. Flasim për golfin, sepse është diçka që e kemi të përbashkët, por edhe për shumë gjëra të tjera. Atij i pëlqen sporti, mua më pëlqen sporti. Është thjesht një darkë normale familjare me gjyshin”, u shpreh ajo.

Kai ka treguar gjithashtu se gjyshi i saj ka ndikuar në përmirësimin e saj në golf. Ajo e përshkroi Trumpin si një lojtar shumë të mirë dhe tha se ai shpesh përpiqet ta shpërqendrojë gjatë lojës.

“Edhe kur luajmë në të njëjtin ekip, ai përpiqet të më shpërqendrojë”, rrëfeu me humor Kai.

Sipas saj, këto situata e kanë ndihmuar të mësojë të ruajë përqendrimin dhe të mos shpërqendrohet në momente presioni.

Kai pritet të nisë studimet në Universitetin e Miamit, ku do të luajë golf për ekipin universitar.

Megjithatë, jeta si mbesa e presidentit amerikan ka edhe anë më pak të zakonshme. Ajo shoqërohet shpesh nga truproja të armatosur, veçanërisht gjatë daljeve publike. Për këtë realitet, Kai kishte folur edhe më herët, duke pranuar se fillimisht ishte e çuditshme të kishte truproja pranë saj, por me kalimin e kohës është mësuar me këtë pjesë të jetës.

“Është e qartë që ata janë aty, por nëse nuk përqendrohesh te kjo dhe përpiqesh të shijosh kohën me miqtë ose familjen, gjithçka bëhet shumë më e lehtë”, kishte deklaruar ajo.

Kai ka mbështetur publikisht gjyshin e saj edhe në vitin 2024, kur gjatë Konventës Kombëtare Republikane e cilësoi atë si një “frymëzim”.