I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Ermal Mamaqi, për një bisedë pa filtra mes biznesit, televizionit dhe sukseseve në karrierën e tij…

Pjesë nga intervista:

Si ka qenë njohja jote me Samir Manen, si i ke krijuar kontaktet me të?

Herën e parë që e kam parë Samir Manen, ndieva që kisha një urrejtje për atë. Isha indroktinuar nga kjo pjesa e popullit, e familljes, e shoqërisë, që ‘ai i piu gjakun punëtorëve, po merr lokët tona’. Por më vonë e kuptova që biznesmeni është ai që e sjell përparimin e një vendi.

Ka shumë njerëz që presin të bëhen miq me këta njerëzit e pasur dhe të suksesshëm. Ti duhet të kesh diçka që atij i duhet. Unë e mësoj gjithmonë në trajnimet që bëj, nuk është e rëndësishme që ti të arrish qëllimin, e rëndësishme është personi që duhet të bëhesh, pra transformimi jot, njeriu që ti duhet të bëhesh që ta marrësh ëtë qëllim. Dhe qëllimet e tua do të prezantohen të realizuara në atë moment që ti ke aq shumë vlera, sa nuk të duhet më ta arrish atë qëllim.

Kur kam rënë në kontakt me të, besoj se ka qenë kur kemi realizuar ditëlindjet e fëmijëve të tij shumë vite më parë. Mbaj mend që ka pasur një momënt nga ato që ndodhin nëpër filma. Unë kam qenë te shtëpia e tij, kam qenë DJ, shumë vite më parë, gati 20 vjet, isha duke rregulluar fishat. Kemi bërë disa party aty. Unë bëja maksimumin kur punoja, si çdo gjë që bëj, jam ‘all in’, do jap çdo gjë që kam, nuk do mbaj asgjë për vete. Dhe në një moment, ai ishte me grupin e tyre të biznesmenëve, shkëputet dhe më thotë: ‘Ka ndonjë gjë që të të ndihmoj unë ty?’ Unë isha në hapat e parë të biznesit në atë kohë, sa kishim ngritur kompaninë dhe duheshin shumë gjëra. Dhe u bllokova në atë moment, shkova në shok.

I thashë, “unë nuk di si t’i përgjigjem kësaj pyetje, por jam kaq i lumtur që ti më pyete dhe ndihem kaq i nderuar, saqë zëre se m’i ke dhënë të gjitha çfarë doja”. Vetëm nga ajo fjalë që unë mora atë ditë, unë ndieva një rritje vetëbesimi për veten dhe kuptova që këta njerëz që janë atje në majë ose në sukses, patjetër që nuk janë njerëz të këqij ose nga ata që unë jam ‘programuar’ të mendoj, por kanë vlera dhe nuk është rastësisht që kanë arritur aty.