Me lënien e mandatit nga Grida Duma, e radhës që pasohet për të marrë mandatin e deputetit në PD është moderatorja e emisionit të dashurisë Për’puthen Oriela Nebiaj.
Kjo e fundit është shprehur në rrjetet sociale se është vendim që i duhet ta shqyrtojë.Nëse Nebiaj tërhiqet, e radhës për t’u bërë deputete e bluve është Lediana Fratari, e bija e biznesmenit Hajredin Fratari.
33-vjeçarja reklamon një jetë tejet luksoze në rrjetet sociale ku nuk mungon makina e saj Lamborghini apo udhëtimet në Mikonos e qytete të tjera europiane.
E renditur në vendin e 34-t si kandidate për deputete nga Lulzim Basha në listat e PD për qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 21 prillit, Fratari dorëzoi pranë KAS kërkesën për rinumërim të votave preferenciale të qarkut ku ajo ka kandiduar.
Ajo kërkonte rinumërim të votave për kandidatët e Tiranës duke këndërshtuar vendimin e KZAZ/KSHZ për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve zgjedhore në qarkun Tiranë, për subjektet dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare.