Një grua është dënuar me burgim të përjetshëm në SHBA pasi u shpall fajtore për abuzim që çoi në vdekjen e vajzës së saj 14-vjeçare, e cila ndërroi jetë nga uria në shtëpinë e tyre në Virxhinian Perëndimore.
Adoleshentja u gjet e pajetë në prill 2024, në dyshemenë e tualetit, në gjendje të rëndë kequshqyerjeje. Sipas prokurorisë, ajo kishte pësuar arrest kardiak të shkaktuar nga uria dhe peshonte rreth 25 kilogramë në momentin e vdekjes.
Gjykata dëgjoi se vajza kishte vuajtur nga një çrregullim i të ngrënit i patrajtuar dhe kishte jetuar e izoluar për disa vite, ndërsa nuk kishte marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Prokurori theksoi se për disa ditë para vdekjes, ajo kishte qëndruar e shtrirë në tualet, e paaftë për të lëvizur, pa marrë ushqim apo kujdes.
Gjatë seancës, nëna pranoi fajësinë për vdekjen e fëmijës si pasojë e abuzimit dhe mungesës së kujdesit. Ajo deklaroi në gjykatë se e donte vajzën e saj dhe shprehu pendesë, por gjyqtarja theksoi se asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë një vuajtje të tillë.
Autoritetet pranuan se kishte pasur një kontroll policor një vit para vdekjes, por nuk ishin konstatuar prova të qarta abuzimi dhe nuk ishte bërë ndjekje e mëtejshme.
Gjykata vendosi dënimin maksimal, duke theksuar se rasti përfaqëson një dështim të rëndë në mbrojtjen e një të miture në kushte të cenueshme.





