Stjuardesa Antonela Gjeluci, e cila është mjaft e njohur në rrjetin social “TikTok”, ka qenë sot e ftuar në emisionin “Wake Up”. Ajo ka folur për eksperiencën e saj si stjuardese si dhe videot plot humor që bën për në rrjetet sociale.

Gjeluci u shpreh se puna si stjuardese është ‘punë me adrenalinë, emocion, punë që të bën të njohësh kultura të ndryshme, sheh vende të ndryshme’.

“Kur fillon punën si stjuardese duhet t’a kesh pasion. Nuk është një punë e zakonshme, është një shkëputje prej punës rutinë, është diçka shumë e bukur, është një aventurë çdo ditë. Çdo fluturim apo çdo sektor që e quajmë ne, është një diçka ndryshe. Është punë me adrenalinë, punë me emocion, punë që të bën të njohësh kultura të ndryshme, sheh vende të ndryshme. Gjë që e bën edhe më të bukur dhe të larmishme si punë. Ti shkëputesh nga realiteti për 1 orë, 2 orë apo dhe më shumë orë se varet sa zgjat fluturimi”, tha stjuardesa e njohur.

Pjesë nga intervista:

Neada Muçaj: Po kur thua me adrenalinë, besoj e ke fjalën edhe për turbulencat herë pas here

Antonela Gjeluci: Pyetja më tipike. Gjëja e parë që hasim edhe prej pasagjerëve kur hyjnë në derë të avionit ‘a ka turbulenca sot?’.

Neada Muçaj: Të ka lodhur ndonjë situatë e çuditshme?

Antonela Gjeluci: Siç dihet, turbulencat janë boshllëqe ajri të cilat nuk sjellin ndonjë problem, edhe këtë mundohemi t’u themi pasagjerëve. Realisht janë aq të pakta aq më tepër për Shqipërinë dhe vendet ku ne vizitojmë, të cilat janë në Europë, që janë shumë të rralla. Në një ditë me shi është krejt normale dhe me thënë të drejtën ne si stjuardesë edhe i shijojmë.