Këngëtarja e famshme, Taylor Swift, vazhdon të frymëzojë me bujarinë dhe përkushtimin e saj ndaj të tjerëve. Superylli i pop-it njoftoi së fundmi se ka dhuruar 1 milion dollarë për dy organizata që i ka shumë për zemër: Feeding America dhe American Heart Association, në nder të babait të saj, Scott Swift.
“Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për donacionin prej 1 milion dollarësh të Taylor Swift për Feeding America”, shkroi Jewel H. Babineaux-Fontenot, CEO e Feeding America, organizata më e madhe jofitimprurëse në SHBA që lufton urinë.
“Gjatë kësaj periudhe festash, mbështetja e saj e vazhdueshme dërgon një mesazh të fuqishëm për atë që mund të arrijmë kur bashkohemi për t’i dhënë fund urisë. Kur bashkojmë forcat me ata që përballen me mungesën e ushqimit, mund të sigurojmë që familjet të kenë tryeza të mbushura gjatë festave dhe edhe në të ardhmen”, shtoi ajo.
Në një njoftim të veçantë, American Heart Association (AHA) bëri të ditur se këngëtarja ka dhuruar 1 milion dollarë në nder të babait të saj, Scott Swift.
Taylor Swift kishte folur më herët për përvojën e babait të saj me problemet kardiovaskulare, gjatë paraqitjes së saj të parë në podcast-in “New Heights” të të fejuarit të saj, Travis Kelce, në muajin gusht, duke zbuluar se ai iu nënshtrua një operacioni në zemër gjatë verës.
Në deklaratën e saj, CEO e AHA-së, Nancy Brown, theksoi se donacioni i Swift “do të krijojë një ndryshim të qëndrueshëm që shkon përtej vlerës financiare”.

“Përvoja e familjes së saj me sëmundjet kardiovaskulare është shumë e zakonshme, pasi pothuajse gjysma e të rriturve amerikanë preken prej tyre”, tha Brown. “Angazhimi i saj për të mbështetur babain do të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën që njerëzit të kujdesen për shëndetin e zemrës, të forcojnë masat parandaluese dhe të përmirësojnë faktorët e rrezikut që mund të kontrollohen, duke ndihmuar në fund më shumë njerëz të jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm.”
Donacionet e Taylor Swift para festave janë vetëm shembulli më i fundit i bujarisë së saj afatgjatë, e cila përfshin miliona dollarë të dhuruar për ndihmë në raste fatkeqësish, programe arsimore dhe iniciativa të tjera.

Gjatë turneut të saj të suksesshëm “Eras Tour” në vitin 2023, ajo bëri gjithashtu donacione për banka ushqimore paralelisht me koncertet e saj në mbarë vendin.

Së fundmi, në serinë dokumentare “End of an Era”, Swift zbuloi se kishte vendosur të rrisë bonuset për stafin e turneut Eras Tour, pasi turneu theu rekorde ndërkombëtare dhe gjeneroi mbi 2 miliardë dollarë nga shitja e biletave.

“Këta njerëz punojnë jashtëzakonisht fort dhe janë më të mirët në atë që bëjnë”, u shpreh ajo për bashkëpunëtorët e saj.