Vajzat e emisionit “She’s On Air” në Top Albania Radio, Ina Pashollari dhe Enxhi Ruzhdia kanë qenë në Panairin e Librit të mbajtur në Pallatin e Kongreseve si çdo vit. Ato kanë bërë disa intervista ekskluzive me autorë dhe personazhe të njohur në vendin tonë, të cilët kanë zbuluar detaje në lidhje me librat e tyre që kanë sjellë për lexuesit.
Ina ka intervistuar gjithashtu edhe Neda Ballukun në panair, e cila këtë vit është prezantuar me librin e saj “I dashur ti je trap”. Në lidhje me suksesin deri më tani të librit, Neda tregoi se:
Jam realisht e mallëngjyer dhe e emocionuar. Një nga gjërat që më ka mbetur në mendje ishte që: “Nuk e prisja nga ty që të shkruaje një libër me trap brenda.” I thashë që arti nuk gjykohet, letërsia është letërsi dhe ashtu më erdhi çfarë të them.
Ndër të tjera theksoi gjithashtu se:
Ndonjëherë e keqja na bën të duket sikur është më e shumtë sepse është më e zhurmshme dhe e mira unë mendoj që vjen gjithmonë më e heshtur. Me kalimin e viteve është një diferencë që unë kam arritur ta mësoj dhe ta bëj. Një e mirë që mund të më vijë nuk krahasohet dhe më prek ose më ndikon më shumë sesa 100 të këqija që mund të më vijnë. Kjo mendoj që është një edukim dhe një gjë që unë e kam mësuar me vitet, një edukim që e kanë bërë njerëzit dhe jam shumë mirënjohëse për dashurinë e të gjithë këtyre viteve dhe shpresoj shumë ta kem merituar dhe të vazhdoj ta meritoj për aq kohë sa kam fuqi dhe do të kenë dëshirë të më ndjekin.
Ka patur nga të gjitha moshat, por më lër të heq veçmas përshtypjet që më kanë bërë çifte që kanë ardhur për të marrë “I dashur ti je trap” dhe vajza të reja që e kanë marrë për t’ia dhuruar të dashurit.
