Vajzat e emisionit “She’s On Air” në Top Albania Radio, Ina Pashollari dhe Enxhi Ruzhdia kanë qenë në Panairin e Librit të mbajtur në Pallatin e Kongreseve si çdo vit. Ato kanë bërë disa intervista ekskluzive me autorë dhe personazhe të njohur në vendin tonë, të cilët kanë zbuluar detaje në lidhje me librat e tyre që kanë sjellë për lexuesit.

Ina ka intervistuar gjithashtu edhe Neda Ballukun në panair, e cila këtë vit është prezantuar me librin e saj “I dashur ti je trap”. Në lidhje me suksesin deri më tani të librit, Neda tregoi se:

Jam realisht e mallëngjyer dhe e emocionuar. Një nga gjërat që më ka mbetur në mendje ishte që: “Nuk e prisja nga ty që të shkruaje një libër me trap brenda.” I thashë që arti nuk gjykohet, letërsia është letërsi dhe ashtu më erdhi çfarë të them. 

Pse e ka vendosur pjesën “+18” në kopertinën e librit?

Ai ka qenë vendimi i djalit tim të madh, i cili më kërkoi që t’i lexoja pasazhe të librit. E bëra, pastaj ndalova një sekondë dhe i thashë që nuk mund të të lexoj më shumë sepse janë eksplicite dhe nuk janë për moshën tënde. Atëherë më tha që duhet të vendosësh +18 aty sepse në radhë të parë njerëzit duhet ta dinë që nuk është për një moshë të caktuar dhe e dyta më tha që mund të shesësh më shumë. Kështu që unë kam bërë një diskutim me shtëpinë botuese për “+18”, por vura veton si autore sepse ishte një ide që ma dha djali dhe doja shumë që të jetë aty. 

Si do ta përshkruante veten e saj Neda me një fjalë tani?

Nuk do ta them me një fjalë, por me një fjali. Mendoj se është koha ime kur unë kam qenë më shumë vetja se kurrë.