Aktorja dhe aktivistja e njohur, Angelina Jolie, ka treguar edhe një herë angazhimin e saj humanitar, duke vizituar fëmijët palestinezë të shtruar në një spital në Egjipt, shumë prej të cilëve kanë përjetuar humbje të rënda familjare si pasojë e konfliktit.

Mediat e huaja shkruajnë se vizita u realizua në bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse për ndihmë humanitare, ndërsa Jolie pati takime të drejtpërdrejta me fëmijët, duke dëgjuar nga afër historitë e tyre të dhimbshme.

Një nga momentet më prekëse ishte takimi me Shadin, një djalë 9-vjeçar i shpëtuar nga rrënojat, i cili ndodhet në pritje të një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mes lotësh, ai i tregoi aktores se nëna e tij kishte humbur jetën.

“Më vjen shumë keq për gjithçka që ke kaluar. Je shumë i guximshëm dhe kam respekt të madh për ty. Jam e bindur se do të bëhesh një njeri i jashtëzakonshëm, sepse ke përballuar shumë në një moshë kaq të vogël”, i tha Jolie.

Në spital ajo u takua edhe me Rimas, një vajzë 16-vjeçare që kishte kaluar pesë muaj në një spital në Gaza, pasi një infeksion i rëndë rrezikonte t’i amputonte këmbën. Falë trajtimit mjekësor në Egjipt, mjekët arritën t’ia shpëtonin gjymtyrën.

“Faleminderit që erdhët. Prania juaj na kujton se ende ka njerëzim në botë dhe njerëz që kujdesen për ne”, u shpreh Jolie gjatë takimit.

Aktorja theksoi se ndihej e nderuar që i takoi këta fëmijë dhe shprehu shpresën që ata të kenë një të ardhme më të qetë dhe të jetojnë në paqe.