Një kompani e specializuar për shëndetin e grave ka gjetur një mënyrë origjinale dhe plot humor për t’u shpjeguar burrave ciklin menstrual, duke përdorur si personazh kryesor një nga futbollistët më të njohur në botë, Erling Haaland.

Platforma Hiya Healthcare, me seli në Dubai, publikoi në Instagram një udhëzues të titulluar “Cikli Menstrual i Prezantuar nga Haaland”, i cili synon t’i ndihmojë burrat të kuptojnë më mirë fazat e ciklit menstrual përmes fotografive të sulmuesit norvegjez.

Në postim shpjegohen faza folikulare, ovulacioni dhe faza luteale, ndërsa secila prej tyre ilustrohet me një shprehje ose moment karakteristik të Haalandit, duke e bërë përmbajtjen sa edukative, aq edhe argëtuese.

Mesazhi që shoqëron publikimin është ai që tërhoqi më shumë vëmendje në rrjetet sociale.

“Nëse gratë duhet ta kuptojnë futbollin, i cili ndodh çdo katër vjet, burrat duhet ta kuptojnë ciklin menstrual, i cili ndodh çdo muaj”, shkruhet në përshkrimin e postimit.

Në fund, kompania u drejtohet ndjekësve me pyetjen:

“Tani është e qartë, apo jo?”.

Postimi u bë shpejt viral, duke gjeneruar mijëra reagime dhe komente pozitive. Shumë përdorues e vlerësuan idenë si një mënyrë kreative për të folur për një temë që shpesh mbetet tabu.

“Informuese dhe qesharake”, ishte një nga komentet që u përsërit më shpesh nga ndjekësit.

Edhe pse Erling Haaland nuk është përfshirë drejtpërdrejt në fushatë dhe nuk ka bërë reklamë për kompaninë, përdorimi i imazhit të tij dhe popullariteti i madh që gëzon në botën e futbollit kanë ndihmuar që postimi të marrë jehonë të gjerë në mediat sociale.

“Hiya Healthcare” është një platformë e fokusuar në shëndetin e grave, që ofron informacion dhe shërbime të lidhura me ekuilibrin hormonal, monitorimin e ciklit menstrual, fertilitetin dhe kujdesin gjinekologjik, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet e shëndetit riprodhues.