Të shtrëngosh duart me dikë pa pëlqimin e tij përbën sulm seksual dhe jo ngacmim të thjeshtë në rrugë, ka vendosur Gjykata Supreme e Spanjës. Vendimi i gjykatës më të lartë të Spanjës mbështeti dënimin e një burri për sulm seksual pasi ai preku në mënyrë të papërshtatshme një grua në një stacion autobusi pa pëlqimin e saj.
Mbrojtja e të pandehurit donte që çështja të rishqyrtohej duke e ulur akuzën në “ngacmim në rrugë”, por gjyqtarët konsideruan se çdo kontakt fizik në kontekstin e sjelljes seksuale të padëshiruar e tejkalon këtë kategori dhe se autori i krimit duhet të paguajë gjobën prej 1,620 eurosh që ishte vendosur në shkallën e parë.
Për ta, nuk ishte një “gjest i thjeshtë që konsistonte në kapjen e dorës së saj pasi paditësi veproi me qëllimin e shkeljes së integritetit të saj seksual. Ai i mori dorën dhe e puthi, duke i propozuar me veprimet e tij ta shoqëronte dhe t’i ofronte para dhe këtë dy herë”.
“Prandaj, një sulm seksual u krye në kuptimin që akti përshkruan një kontakt me natyrë seksuale dhe qasje që viktima nuk kishte detyrim ta mbështeste, me një përmbajtje të qartë seksuale dhe një sulm ndaj viktimës duke e reduktuar atë në një objekt”, vazhdoi vendimi.
Gjykata konsideron se kapja e dorës së një gruaje dhe puthja e saj pa pëlqimin e saj, në një kontekst ku autori i krimit shpreh një qëllim seksual përbën një imponim të vullnetit të autorit të krimit mbi lirinë seksuale të viktimës. Spanja, e cila është në ballë të luftës kundër dhunës me bazë gjinore, miratoi një ligj pionier në Evropë kundër dhunës ndaj grave në vitin 2004.




