Një bar izakaya në Shibuya, Tokio, ka vendosur një tabelë që paralajmëron: “ky është një vend për të rinjtë nën 40 vjeç”. Qëllimi është që klientët të ndihen komod dhe të mos ketë ankesa për zhurmën.

Gjatë vizitës së TV Asahi, 90% e klientëve ishin në të 20-at. Pronari thotë se nuk është një ndalim strikt, por një paralajmërim për atmosferën e brendshme. Një nismë që po ngjall diskutime për moshën dhe argëtimin në Japoni.

Ndërkaq, një restorant në qytetin Yeosu të Koresë së Jugut është bërë viral pasi vendosi në derë një shenjë të pazakontë: “Nuk shesim vetmi.” Rregulli i lokalit është i thjeshtë: nëse vjen vetëm, nuk të shërbejnë. Klientët solo duhet të sjellin një mik, partnerin, ose të paguajnë dy porcione për t’u ulur.

Vendimi ka ndezur debat në rrjetet sociale, ku shumë e quajnë këtë politikë diskriminuese dhe absurde, sidomos në një vend ku të ngrënit vetëm është kthyer në trend kombëtar. Pronari thotë se nuk dëshiron të krijojë “atmosferë vetmie” brenda lokalit, por publiku s’e ka pritur mirë fare.