Fituesja e shumë çmimeve Grammy, Billie Eilish, ka bërë një deklaratë të fortë gjatë fjalimit të saj në “WSJ Magazine Innovator Awards”. Ajo është shprehur se miliarderët duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar botën.

“Jemi në një kohë kur bota është shumë e errët dhe njerëzit kanë nevojë për më shumë empati dhe ndihmë se kurrë më parë”, tha artistja 23-vjeçare, duke shtuar:

“Nëse ke para, do të ishte mirë t’i përdorje për të bërë diçka të mirë -ndoshta t’i jepje disa njerëzve që kanë nevojë për to”.

Këngëtarja e famshme, e cila u nderua me çmimin për Inovatore Muzikore, nuk i kurseu fjalët ndaj të pranishmëve në sallë, ku ndodheshin emra të mëdhenj si Mark Zuckerberg, Hailey Bieber, Spike Lee, Ben Stiller, Chris Rock dhe të tjerë.

Duke iu drejtuar me tone të sinqerta, ajo shtoi:

“Ju dua të gjithëve, por disa këtu kanë shumë më shumë para se unë. Nëse je miliarder, pse je miliarder? Pa urrejtje, por po, jepni paratë tuaja”.

Fjalimi i saj shkaktoi një përzierje reagimesh – disa duartrokitje të përmbajtura dhe disa buzëqeshje nga publiku i pranishëm në Muzeun e Artit Modern (MoMA) në Nju Jork.

Në publik ndodhej edhe themeluesi i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, i cili nuk duartrokiti pas deklaratës së Eilish.

Sipas “Forbes”, Zuckerberg renditet si personi i tretë më i pasur në botë, me një pasuri neto prej rreth 257 miliardë dollarësh.

Së bashku me bashkëshorten e tij Priscilla Chan, ai ishte në ceremoni pasi Chan u nderua me çmimin “Inovatore e Filantropisë në Shkencë 2025”, për punën e saj përmes Chan Zuckerberg Initiative, që fokusohet në krijimin e mjeteve për trajtimin e sëmundjeve.