Shefi i kuzhinës, Ndoc Shtjefni, nga restoranti “Pasta n’Tigan”, ka qenë së fundmi i ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën.

Përveç gatimeve mjaft të shijshme, Shtjefni ka krijuar një metodë mjaft unike servirje, pasta në tigan. Si lindi ideja e kësaj dhe çfarë recetash mund të gjejmë në restorantin “Pasta n’Tigan”, i tregoi vetë shef Ndoc Shtjefni…

Pjesë nga intervista:

Çfarë paste do të zgjidhje t’i gatuaje kryeministrit?

Unë kam një foto të kryeministrit tonë duke ngrënë pasta në Francë, që e kam gjetur në “Google” dhe e kam te restoranti. E njohin edhe të huajt dhe pyesin a nuk është problem. Por nuk është problem, i them unë, se vetë e ka bërë foton, nuk ia kam hedhur unë. Mua më pëlqejnë fotot abstrakte, është artistike, e bukur.

Unë i kam gatuar kryeministrit disa herë. Por kryeministri nuk është shumë pas pastave, ai ka qejf produktet vendase. Besoj do i vlerësojë pastat e mia. Unë mendoj që mund të hajë një pastë të lehtë me këto të stinës, të sezonit, për shembull me shegë. Nuk besoj se ka provuar një brumë me shegë kryeministri. Është fantastike, sepse është shegë e thartë, nuk është shegë e ëmbël që të japë ëmbëlsi. Është perfekte nëse përdor pak spec djegës brenda.