Ish-banori i “Big Brother VIP 5”, Alesio Aliaj, ishte i ftuar këtë të mërkurë në programin “Ftesë në 5”, me Bieta Sulon. Modeli i njohur ndau disa nga momentet më të vështira dhe më të rëndësishme të jetës së tij.

Në një rrëfim të sinqertë, Alesio tregoi se në gati pesë dekada jetë ka kaluar shumë sfida që e kanë formuar si person. Ai rrëfeu se i është dashur të emigrojë që në moshë shumë të vogël.

“Dola në rrugët e botës pasi mbarova shkollën 8-vjeçare. Do e bëja të njëjtën gjë edhe sot”, u shpreh ai.

Padiskutim eksperienca në “Big Brother” ishte një tjetër “stacion” i jetës së tij, për të cilën u shpreh:

“Nuk doja të humbisja veten, nuk mund ta humbisja karrierën time”.

Një nga momentet më prekëse ishte kur Alesio foli për historinë e emrit, duke zbuluar se lidhet me një humbje të madhe në jetën e tij.

“Para shumë vitesh me ka vdekur një shok, ai e kishte emrin Alession dhe unë që në atë moment thashë do mbaj emrin e tij”, tha ai.

Alesio ka takuar dhe punuar gjatë rrugëtimit të jetës së tij me shumë personazhe të famshëm, njëri prej tyre ka qenë dhe Dj Avicii, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2018.

Gjatë rrëfimi të tij, ish-banori i BBV 5 deklaroi se Avicii është vrarë dhe jo vetëvrarë sikurse është raportuar në mediat botërore.