Në një intervistë frymëzuese në ‘Ftesë në 5’, Xhoela Bame ndau rrugëtimin e saj nga Korça në kopertinën e Forbes si pjesë e listës prestigjioze ‘Forbes 30 Under 30 Europe 2026’ për kërkimet e saj mbi rigjenerimin e trurit dhe zemrës.

Studiuesja shqiptare që punon në një prej universiteteve më prestigjioze në botë, Universiteti i Oxfordit, foli për pasionin ndaj shkencës dhe mënyrën sesi trupi i njeriut funksionon si një “mekanizëm” kompleks, ku çdo qelizë jep sinjale të rëndësishme për shëndetin tonë.

Ajo tregoi se kërkimet e saj fokusohen tek sëmundjet degjenerative dhe mënyrat se si shkenca mund të ndihmojë në rigjenerimin e qelizave të dëmtuara, duke hapur rrugë të reja për trajtime në të ardhmen.

Por përtej laboratorëve dhe kërkimeve shkencore, Xhoela ndau edhe shqetësimin për ndikimin që jeta moderne dhe stresi digjital kanë tek shëndeti mendor, sidomos tek të rinjtë. Ajo theksoi se ritmi i shpejtë i jetës online po ndikon gjithnjë e më shumë në mirëqenien emocionale dhe psikologjike të njerëzve.