Kapitullin e ri në botën e spektaklit që Monika Kryemadhi e hapi pasi u largua nga politika dhe ndryshoi statusin civil, e vijon tashmë në kinematografi. Zonja Kryemadhi prezantohet për herë të parë si aktore dhe producente, në një këndvështrim krejt tjetër nga ai që keni parë deri më sot.
“Ftesa më erdhi në një moment shumë të errët të jetës ime dhe ndonjëherë kur njeriu kërkon të ikë nga një moment i tillë, hidhet në një botë të re. Roli im është i vogël, por ka një domethënie në udhëkryqet që ne hasim”, u shpreh producentja Monika Kryemadhi.
Projekti i parë kinematografik I kryemadhit është një dramë familjare. Një mundësi për të gjetur veten përballë sfidave sociale.
“Kinematografia shqiptare këto kohë është fokusuar te humori, por nuk duhet harruar jeta e përditshme e familjes shqiptare, sfidat që hasin të rinjtë, sfidat që has familja. Duhet kuptuar që rruga e gabuar, nuk është zgjidhja”, u shpreh Kryemadhi.
“Me fat” rrëfen historinë e një të riu që ëndërron të bëhet kampion boksi, por rruga drejt ringut e çon larg familjes dhe e përfshin në një realitet të ashpër.
“Është një histori e shkruar me shumë dashuri për artin dhe familjen, dedikuar dashurisë, mbi të gjitha ëndrrave që kanë njerëzit”, u shpreh aktori, skenaristi dhe producenti Maksim Aladini.
“Është një histori shumë e bukur dashurie. Në jetë, mund të marrim mendime të ndryshme, është shumë e rëndësishme për mendimin tim se nga cili pozicion i bëjmë këto zgjedhje, nga pozicioni i dashurisë apo frikës”, tha modelja Rea Begaj.
Teksa përpiqet të shkëputet nga hija e gabimeve dhe të përqendrohet vetëm te ëndrra e tij, Mefo përballet me një zgjedhje që do t’i ndryshojë jetën
“Prekim pak edhe anën e errët të njerëzve të pasur, është një realitet që e kemi prezent. Prek edhe hakmarrjen si fenomen”, u shpreh aktori Visjan Ukcenaj.
“Ky nuk është një film komercial, mua më pëlqejnë skenaret e vërtetë dhe që inkurajojnë sidomos të rinjtë”, tha aktori Gent Hazizi.
Ky prodhim kinematografik vjen premierë për publiku mbrëmjen e 12 marsit, kur Kryemadhi nis një etapë te re në karrierën e saj në një ditë me agjendë te ngjeshur për aktualitetin dhe politikën në vend, përfshirë edhe paraqitjen e radhës së saj në Prokurorinë e Posaçme.
“Në 10:00 nis unë gjyqin, ka Kuvend për imunitetin e Belindës, ka protestë. Rama shtron iftar dhe sa ha Kryeministri, nisim ne me premierën në 7”, u shpreh Kryemadhi. /Top Channel/
