Në episodin e djeshëm të emisionit “Për’puthen” ka ndodhur një situatë e pakëndshme dhe njëkohësisht e papritur, për të cilën nga ana e Megit është kërkuar edhe ndërhyrja e sigurimit.

Teksa në studio po diskutohej në lidhje me ecurinë e ditëlindjes së Inës dhe situatës së krijuar pas provokimit të njërit prej konkurrentëve, konkretisht Ibrahimit, u përmend edhe një episod i ndodhur gjatë festës. Ibrahimi, teksa po festonin të gjithë së bashku, nxori në tavolinë një dhuratë për Josipin. Bëhej fjalë për një prezervativ, çështje që ishte diskutuar edhe në studio disa episode më parë, kur Indriti dhe Marsiela zbuluan se Josipi i kishte kërkuar Indritit një prezervativ, pasi do të shkonte të takonte Dasinën.

Rikujtojmë se Ibrahimi ka zhvilluar dy takime me Dasinën më parë, ku njëri prej tyre ishte sqarues nga ana e Dasinës, për shkak se konkurrenti kishte bërë disa batuta dhe komente që nuk i kishin pëlqyer.

Duke u rikthyer te situata e sotme në studio, Megi në një moment e pyeti Ibrahimin:

“Ty të shqetësoi fakti që Dasina ndaloi takimin me ty për t’u njohur me Josipin?”

Në këtë moment, Josipi ndërhyri duke u shprehur:

“I dogji.”

Ibrahimi iu përgjigj duke thënë:

“Çfarë më djeg mua me ty, more?”

Pas kësaj replike, që dukshëm nuk u prit mirë, Ibrahimi u ngrit nga vendi i tij dhe u afrua drejt Josipit, i cili e goditi. Ky ishte momenti kur situata degjeneroi në një përplasje fizike në studio, por djemtë e tjerë ndërhynë menjëherë për t’i ndarë të dy.

Pas kësaj ngjarjeje, Megi u shpreh se Ibrahimi kishte mbetur i lënduar dhe kishte marrë ndihmën e duhur mjekësore, ndërsa u mor vendimi që të dy djemtë të pezulloheshin nga programi. Konkurrentët që kanë edhe shoqëri me ta jashtë programit u shprehën se të dy kanë pasur shpesh një raport të tensionuar dhe se situata e krijuar duhej të ishte shmangur, duke treguar më shumë maturi dhe vetëkontroll në menaxhimin e emocioneve nga të dy.