Një dëmtim në kyçin e këmbës do ta mbajë Harry Kane larg fushave të blerta për disa muaj. Sulmuesi i Bayern Munich ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale gjatë natës, pasi pësoi një dëmtim të ligamentit në këmbën e majtë gjatë ndeshjes së së premtes kundër Koln, e cila përfundoi në barazimin 1-1.

Lajmi u konfirmua nga klubi gjerman, i cili bëri të ditur se operacioni kishte përfunduar me sukses. Megjithatë, mungesa e Kane pritet të zgjasë të paktën tre muaj, duke i shkaktuar një tjetër problem skuadrës së drejtuar nga Vincent Kompany.

Vetë futbollisti ka reaguar përmes një postimi në Instagram, ku ka ndarë një fotografi nga spitali, pas ndërhyrjes kirurgjikale. Pavarësisht zhgënjimit për dëmtimin, ai është shprehur optimist për rikthimin në fushë.

“Ngjitjet dhe zbritjet e jetës! Natyrisht, jam shumë i zhgënjyer për këtë dëmtim, por si gjithmonë, kjo është një mundësi për të treguar qëndrueshmëri dhe për t’u përmirësuar në prag të vitit 2027. Do të rikthehem i freskët dhe gati për fazën vendimtare të sezonit!”, shkroi 33-vjeçari.

Dëmtimi ndodhi në një moment të pafat gjatë sfidës me Koln, kur mbrojtësi kundërshtar Joel Schmied, në përpjekje për të ndërhyrë te topi pas një krosimi të Michael Olise, goditi këmbën e majtë të sulmuesit. Kane fillimisht tentoi të vazhdonte lojën, por dhimbjet e detyruan të largohej nga fusha.

Mungesa e tij është një goditje e rëndësishme për Bayern Munich, duke pasur parasysh rolin vendimtar që ka pasur në skuadër. Që prej transferimit nga Tottenham në vitin 2023, Kane ka realizuar 156 gola në 161 ndeshje zyrtare, duke ndihmuar ekipin të fitojë dy tituj të Bundesligës dhe Kupën e Gjermanisë.

Vetëm muajin e kaluar, anglezi u bë futbollisti i parë nga Anglia në 25 vitet e fundit që fiton Topin e Artë. Ndërkohë, dy javë më parë ai rinovoi kontratën me Bayern Munich, duke u angazhuar me klubin gjerman deri në qershor të vitit 2029.