Kylie Jenner është përfshirë në një çështje gjyqësore pasi një ish-punonjëse ka ngritur padi duke e akuzuar për ngacmim, diskriminim dhe shkelje të të drejtave në vendin e punës.
Padia është depozituar nga Angelica Vasquez, e cila ka punuar në staf të mirëmbajtjes në rezidencën e Jenner në Hidden Hills, duke nisur nga shtatori i vitit 2024.
Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo pretendon se ka qenë pjesë e një ambienti pune “armikësor dhe përjashtues”, ku është përballur me ngacmime të vazhdueshme nga kolegë dhe mbikëqyrës.
Ajo thotë se i janë dhënë detyra më të vështira dhe më pak të dëshirueshme, ndërsa është përjashtuar dhe poshtëruar për shkak të racës, origjinës dhe besimit fetar.
Në padi përshkruhen gjithashtu raste të sjelljes fyese nga mbikëqyrësit, përfshirë komunikim agresiv dhe bërtitje, si dhe akuza të padrejta për sjellje të papërshtatshme.
Vasquez pretendon se është trajtuar në mënyrë degradues dhe është bërë objekt talljeje për theksin e saj si emigrante nga El Salvador dhe për besimin e saj katolik.
Ajo thotë se ka paraqitur disa ankesa formale gjatë periudhës së punës, por sipas saj ato janë injoruar ose trajtuar me përbuzje.
Situata, sipas pretendimeve të saj, është përkeqësuar deri në mars 2025, kur kanë ndodhur edhe incidente fizike, përfshirë hedhje sendesh në drejtim të saj.
Padia përfshin gjithashtu akuza për shkelje të ligjeve të punës, si mosshlyerje të orëve shtesë, mungesë pushimesh të detyrueshme dhe mosrimbursim të shpenzimeve.
Sipas saj, për shkak të situatës, ka zhvilluar ankth të rëndë dhe simptoma të ngjashme me stresin post-traumatik, duke marrë më pas leje mjekësore në korrik 2025 dhe duke dhënë dorëheqjen një muaj më vonë.
Ajo po kërkon që çështja të shqyrtohet nga një juri gjyqësore, ndërsa përfaqësuesit ligjorë të palëve të përfshira pritet të paraqesin argumentet e tyre në gjykatë.
