Nicolas Cage ka zbuluar se në të kaluarën ka refuzuar dy role të mëdha filmike që më vonë u kthyen në suksese të jashtëzakonshme në Hollywood.
Në një intervistë për “Variety”, aktori 62-vjeçar foli hapur për projektet që pothuajse ndryshuan karrierën e tij, duke treguar se ishte shumë pranë rolit të Green Goblin në filmin ikonik “Spider-Man” të vitit 2002.
Roli, që më vonë u interpretua nga Willem Dafoe, iu ofrua fillimisht Cage, por ai vendosi të tërhiqej për shkak të mosmarrëveshjeve kreative.
Duke kujtuar bisedën me regjisorin Sam Raimi, Cage tregoi se kishte propozuar një ide të veçantë për personazhin e Spider-Man.
Sam dhe unë patëm një drekë shumë të mirë dhe gjatë saj i thashë: ‘Dëgjo, kushdo që ta luajë Spider-Man-in, le të ketë një skenë ku ai lëviz si merimangë kur është vetëm,’ por kjo nuk ndodhi
-rrëfeu aktori.
Ai donte që unë të luaja Green Goblin. Më pëlqente ideja për të punuar me Sam Raimi-n për shkak të ‘Evil Dead 1’ dhe ‘Evil Dead 2’, por në atë kohë kisha një tjetër film të quajtur ‘Adaptation’
-shtoi Cage.
Por ky nuk ishte i vetmi rol i madh që ai refuzoi.
Aktori zbuloi gjithashtu se kishte hequr dorë nga personazhi i Lloyd Christmas në komedinë kult të vitit 1994 “Dumb and Dumber”, rol që më pas u bë një nga interpretimet më ikonike të Jim Carrey.
Kjo ndodhi me Jim dhe ‘Dumb and Dumber’, dhe unë thashë: ‘Do të bëj këtë filmin tjetër të quajtur Leaving Las Vegas’
-kujtoi Cage.
Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm që patën të dy filmat, Nicolas Cage tha se nuk ka pendesa për zgjedhjet që bëri në karrierën e tij.
