Ish-ylli i “Real Housewives of Beverly Hills”, Yolanda Hadid, ka ndarë një rrëfim prekës mbi betejën që po kalon vajza e saj, Bella Hadid, me sëmundjen Lyme.
Një ditë më parë, Yolanda ka bërë një postim në “Instagram” ku ka publikuar disa fotografi të modeles së famshme, duke e përshkruar gjendjen e saj si një “ferr të panjohur”.
61-vjeçarja rrëfeu se është e dhimbshme të shohësh vajzën të vuajë në heshtje, ndërsa theksoi se asgjë nuk mund të krahasohet me vuajtjet e saj.
“Duke parë Bella-n time të luftojë në heshtje ka shkuar thellë në zemrën time”, shkroi Yolanda, duke e cilësuar sëmundjen kronike neurologjike si të padukshme dhe të vështirë për t’u kuptuar.
Nëna e modeles, e cila vetë u diagnostikua me Lyme në vitin 2012, tha se ka zgjedhur të mos flasë më për betejën e saj personale për të përqendruar të gjithë energjinë te shëndeti i së bijës.
Ajo e quajti Bella-n “luftëtare” dhe shtoi se “asnjë fëmijë nuk duhet të vuajë nga një sëmundje e pakurueshme”.
Me një mesazh të ndjerë, Yolanda përfundoi:
“Ti je një mbijetuese… të dua kaq shumë, luftëtarja ime e fortë”.
Postimi ka risjellë në qendër të vëmendjes vështirësitë e sëmundjes Lyme dhe rëndësinë e mbështetjes familjare në përballimin e saj.