Familja e Michael Schumacher thuhet se po bën “plane të mëdha” për një jetë të re në Spanjë, ndërsa misteret mbi gjendjen e tij shëndetësore vijojnë.
Bashkëshortja e legjendës së F1, Corinna, thuhet se po transferon familjen në një vilë pranë qytetit të bukur të Port Andratx në Majorca.
Vetë Schumacher – shëndeti i të cilit mbetet i panjohur – tashmë raportohet se e ka vizituar vilën e re në ishull me helikopter.
Revista gjermane “Die Bunte” shkruan se familja po përgatitet që të shkojnë në shtëpinë e re në dimër. Gjithashtu pretendohet se ata kanë blerë një truall prej 54 mijë metra katrorë, i cili do të përdoret për të ngritur një fermë kuajsh.
53-vjeçarja së bashku me vajzën 25 vjeçe, Gina-Maria, kanë kuaj në pronat e tyre në Zvicër dhe Teksas.
Ndërkohë “Die Bunte” ka publikuar edhe pamje paraprake dhe i shoqëron me titullin: “Corinna Schumacher: Jeta juaj e re në Majorca”, e cila pritet që nesër të publikohet e plotë.
Në shkrimin paraprak thuhet se gruaja e legjendës së F1 ka “plane të mëdha në ishullin me diell” dhe se ajo dëshiron që të sigurohet që ai të ketë “kujdesin më të mirë mjekësor”. Gjithashtu ajo dëshiron që të jetë me familjen “sa më shumë që të jetë e mundur”.