“Jam si një copë akulli me një flakë që digjet brenda,” me këto fjalë të piktorit Kandinsky, Giorgio Armani përshkroi veten. Në sytë e botës, ai u shfaq gjithmonë i përmbajtur, i vendosur dhe i ftohtë, por brenda tij fshihte një pasion të thellë dhe një ndjenjë që i jepte jetë çdo skice, materiali dhe siluete. Sot, pas ndarjes së tij nga jeta në moshën 91-vjeçare, bota e modës nuk humbi vetëm një stilist të madh, por një vizionar që e trajtoi modën si një formë mendimi, përkushtimi dhe rebelimi të heshtur.
Një jetë me tre parime: ëndërrim, ironi dhe liri
Armani e shihte ëndërrimin si një detyrë. Edhe në moshën 90-vjeçare, ai fliste për të ardhmen me sytë e një artisti që ende ka shumë për të thënë. Në kulmin e pandemisë, ai u bë zëri i arsyes dhe ndjeshmërisë, duke kontribuar financiarisht për mbrojtjen civile dhe duke u drejtuar mjekëve me mesazhe force dhe solidariteti. “Nëse besoj në diçka,” thoshte ai, “e vë fytyrën time në rrezik”. Dhe nuk ishte thjesht metaforë: ai e bënte këtë realisht, publikisht, me integritet.
Përveç përkushtimit dhe seriozitetit, Armani kishte edhe një anë tjetër: ironia, që e shoqëroi deri në fund. Ai nuk e mori modën kurrë si një univers të ngurtë e të pandryshueshëm. Koleksionet e tij shpesh shfaqnin një humor të hollë nga kravatat për gratë, tek palltot si të kllounëve, e deri tek referencat lozonjare ndaj udhëtimeve dhe kujtimeve personale. Sipas tij, moda nuk ishte një kostum për të luajtur rolin e të tjerëve, por një mënyrë për të treguar veten me lehtësi dhe elegancë.
Stil për njerëzit e lirë jo për skllavët e trendeve
Në themel të vizionit të Armanit ishte respekti për trupin dhe lirinë individuale. Ai ishte i pari që hoqi strukturat e ngurta nga kostumet, krijoi xhaketa që rrinin si këmisha, solli fluiditet në materiale dhe thyerje të normave gjinore në silueta. Eleganca e tij nuk imponohej me ekstravagancë, por vinte natyrshëm – “si një shkëlqim në sy”, siç thoshte vetë.
Për të, asnjë grua dhe asnjë burrë nuk duhej të ishte skllav i standardeve të bukurisë, i modës kalimtare apo i nevojës për të qenë seksualisht tërheqës me çdo kusht. Armani projektoi një botë ku njerëzit ndiheshin të fuqishëm jo nga ajo që tregonin, por nga ajo që ndjenin mbi lëkurë.
Giorgio Armani nuk ishte thjesht një emër në modë ai ishte një filozofi, një rebel i heshtur, një poet i linjës së pastër. Ai nuk bërtiti kurrë për të treguar madhësinë e tij, por gjithçka që krijoi foli me zë të qartë: moda është mendim, ndjenjë dhe mbi të gjitha, liri.