E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë gazetarja Alba Alishani. Që nga ana profesionale e po ashtu në atë personale, Alba ka bërë një rrëfim të sinqertë e të patreguar më parë.

Pjesë nga intervista:

Ronaldo: Nëse kryeministri i vendit, Edi Rama, të bën një ftesë si piktor për të të bërë një portret, do e pranonit?

Alba: Në këtë rast kryeministri është edhe piktor, por cilido qoftë piktori, nuk do ta kisha pranuar ftesën. Nuk e shoh veten si subjekt pikturash.

Ronaldo: Si e shihni veten?

Alba: Aty ku jam, duke shërbyer në profesionin tim.

Ronaldo: Shumë figura të rëndësishme dhe intelektuale janë pikturuar…

Alba: Po, por unë kam zgjedhur të mos e bëj. Unë kam zgjedhur të mos bëhem imazh kompanish, të mos bëj disa reklama për sponsorizime, mos të marr përsipër të bëj Story për të reklamuar një dyshek apo një jorgan.

Ronaldo: Keni problem me këto që e bëjnë?

Alba: Nuk kam probleme, absolutisht. Ajo është zgjedhje individuale e secilit. Por unë nuk kam parapëlqyer ta bëj, kështu që as si subjekt portreti nuk e shoh veten, cilido qoftë piktori. Nuk më impresionon fakti që në këtë rast ftesa mund të vinte nga piktori, që njëkohësisht është dhe kryeministri. Cilado qoftë oferta, nga kushdo që do të vinte.