Gazetarja e njohur e Top Channel, Anila Hoxha, ishte sot e ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku foli për profesionin e saj e deri te jeta personale.
Hoxha tregoi se gjatë karrierës së saj si gazetare ‘është kërcënuar’ dhe ‘është trembur’. Madje gazetarja rrëfeu edhe rastin e një-ish gjyqtareje, por pa zbuluar emrin e sja.
Pjesë nga intervista:
Ronaldo Sharka: Ka gjithmonë një kuriozitet nga publiku për gazetarët që raportojnë për kronikën e zezë, por edhe për krimin që vitin e fundit në Shqipëri ka qenë shumë prezent në edicionet qendrore të lajmeve. Kur përmenden emrat e bandave, emrat e kriminelëve, e atyre që vrasin, ka një lloj frike nga gazetarët? Je trembur ti ndonjëherë? Që mund të vijë ndonjë mesazh kërcënues, është e frikshme kjo puna që bën?
Anila Hoxha: Ka ndodhur, nuk i kam bërë publike. Gjithmonë i kam deklaruar në redaksi, në çfarëdo rasti. Mund të ketë qenë mesazh në “Facebook”, në telefonin tim, mund të ketë qenë telefonatë e drejtpërdrejtë me numër të fshehtë, me numër të huaj.
Ronaldo Sharka: Të kanë kërcënuar hapur?
Anila Hoxha: Po, nga më të lehtat ‘mos u merr, ke për të parë’ deri te familja. I kam diskutuar me redaksinë, me drejtuesit e redaksisë dhe kemi vendosur se çfarë është bërë më pas.
Ronaldo Sharka: Je trembur?
Anila Hoxha: Po. Do isha e pasinqertë të thosha jo. Jam trembur.
Ronaldo Sharka: Kjo si gazetare të ka motivuar për të vazhduar si profesion apo…
Anila Hoxha: S’kam marrë asgjë personale. Mua më ka ndodhur që më kanë sulmuar edhe gjatë intervistimit, deklaratave publike. Nuk po them emër, por një ish-gjyqtare vetëm se kisha raportuar rregullisht, qasja ishte shumë negative gjatë deklaratës për shtyp në adresën time. Nuk e mora asgjë personale. Nuk them që me këtë rast vesha këpucët dhe mendova se si do ndihesha unë në rast se do isha një person i akuzuar, por ndoshta këtu hyn eksperienca. Bëra pyetjet, qëndrova profesionalisht në posturën profesionale dhe bëra vetëm pyetjet. Shumë shtetas, kam vënë re funksionarë apo ish-funksionarë, në momentin që gazetari raporton, e ngatërrojnë me dashje dhe e përdorin si një moment intimidimi që gazetari të frenohet dhe të mos raportojë më për ta.