Reperi amerikan me famë ndërkombëtare, Kanye West, do të performojë ekskluzivisht në Tiranë, më 11 korrik 2026.
Për këtë koncert do të ndërtohet një stadium i posaçëm me një kapacitet prej 60,000 spektatorësh. Stadiumi po ndërtohet ekskluzivisht për këtë performancë si një strukturë e përkohshme, i vendosur përgjatë autostradës Tiranë–Durrës, rreth 2 kilometra nga qendra e qytetit.
Në një lidhje live për emisionin ‘Top Talk’, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, u shpreh se ky koncert e promovon shumë mirë vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Ministri shtoi se ky koncert pritet të gjenerojë për ekonominë e vendit rreth 120 milionë euro dhe se kostot për ndërtimin e stadiumit ku do të mbahet koncerti nuk do t’i mbulojë shteti ynë.
“Është më shumë sesa thjesht një event. Është një lajm i cili, që kur u konfirmua, bëri punën e vet si një motor dhe nxitës i promovimit për mirë të Shqipërisë. Ka shumë peshë sot në botë reputacioni i destinacioneve. Ky mund të quhet testi final që e fut Shqipërinë në hartën e atyre vendeve që nuk janë thjesht mikpritëse, por të afta për organizime të tilla shumë të vështira, që janë rezultat i sigurisë, i një mentaliteti të përgjithshëm social të hapur, i një tolerance, i një mikpritjeje dhe bashkëjetese kulturore që e bën Shqipërinë një vend në dukje të vogël, por gjithmonë e më shumë të aftë për çdo sfidë eventesh të mëdha.
Do të kemi shumë shqiptarë nga diaspora dhe të huaj që do të vijnë. Përgatitemi për rreth 100 mijë veta në kapacitet. Nuk është e lehtë, por ambicia të shtyn të provosh dhe do të vëmë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona. Të gjitha institucionet do të jenë të koordinuara. Do të kërkojë një impenjim shumë të madh shtetëror. Dogana, portet, transporti, trafiku, siguria, nevojat bazë, kujdesi për higjienën dhe utilitetet do të jenë të një rëndësie të veçantë dhe do të bëjmë çfarë të jetë e mundur që çdo gjë të shkojë mbarë. Mendoj se do të dalim me sukses edhe në këtë sfidë.
Një festival i madh, nëse investon një vlerë të caktuar, e kthen fitimin në ekonomi disa fish. Pritet të gjenerojë mbi 120 milionë euro. Jo të gjitha janë 100% në Shqipëri, por nga kjo xhiro ekonomike që i vjen Shqipërisë, ne do të kemi të ardhura nga taksat që do të jenë goxha të rëndësishme. Ne nuk do të mbulojmë asnjë kosto për organizimin e eventit, as për stadiumin, nuk do ta bëjmë me fonde nga buxheti i shtetit”, u shpreh ministri Gonxhja.
