Këngëtari i dashur për publikun, Alban Skënderaj, ka qenë i ftuar në emisionin “Ndryshe” me Salsano Rrapin dhe Elona Duron, ku foli për albumin e tij më të ri që titullohet “Rrënjët”.
Artisti ndau detaje edhe nga koncertet e tij madhështore që ka mbajtur edhe jashtë Shqipërisë duke treguar se ka qenë komplet një emocion tjetër për të.
Pjesë nga intervista:
Si erdhi ky album i titulluar “Rrënjët”?
Për mua është patjetër një pikë kulmore e karrierës time dhe duke e nisur me koncertet që këto kanë qenë një nga arsyet që përse “Rrënjët” ka ardhur si album, ndoshta ka qenë një frymëzim për mua, kisha nevojë që të shikoja dhe takoja njerëzit të kuptoja me të vërtetë impaktin e muzikës time. Gjithashtu të kuptoja dashurinë dhe u çlirova për herë të parë pas shumë vitesh që të mos bëj më llogari ose të jem i kujdesshëm dhe i kompleksuar. Doja vërtet një gjë të bukur dhe pse jo të rikthehesha tek rrënjët edhe pse ky album është i bukur, është modern, është pop, por rrënjët i ka tek muzika shqiptare.
Ka të bëjë me rrënjët e tua labe?
Ka të bëjë edhe me rrënjët e mia labe. Është shumë interesante unë faktikisht, mund ta konsideroj që ky album është më shumë Albani para se të largohej nga Shqipëria sesa Albani kur u kthye në Shqipëri. Kam ikur në moshën 14 vjeç dhe kur u ktheva, u ktheva me frymën perëndimore, solla ato notat italiane. Këtë herë u ktheva mbrapa në kohë me muzikën popullore të veriut, jugut, Shqipërisë së mesme, por ajo që më ka ngelur mua është pikërisht ajo që kam jetuar deri në adoleshencë. Që do të thotë familja, festat…
