Këngëtari i madh britanik, i cili është martuar në vitin 2005 me producentin David Furnish, do të ketë një fëmijë të dytë. Pas lindjes së djalit të tij, Zachary nga një nënë surrogate, ai e kishte shprehur vazhdimisht dëshirën për të mos e lënë vetëm fëmijën e parë.

“Kam vuajtur shumë nga fakti që nuk kam pasur një vëlla ose një motër. Nuk dua që e njëjta gjë të ndodhë edhe më Zachary”, – është shprehur më herët britaniku.

Sipas informacioneve që vijnë nga mediat britanike, do të jetë e njëjta nënë që mbajti në bark fëmijën e parë e cila do të sjellë në jetë edhe një motër ose vëlla për të, pasi është në muajin e tretë të shtatzënisë. 63 vjeçari dhe partneri i tij 49 vjeç duket se janë shumë entuziastë për këtë fakt dhe mezi presin të mbajnë në duar fëmijën e tyre të dytë.


“E kam kaluar fëmijërinë duke qëndruar i mbyllur në dhomën time dhe duke dëgjuar muzikë me zë të lartë ndërsa prindërit e mi grindeshin. E di se është shumë e vështirë të jesh fëmijë i vetëm dhe mbi të gjitha, fëmijë i vetëm i një njeriu të famshëm”, – ishte shprehur pak kohë më parë John për “Guardian”.


Këngëtari i njohur nuk i ka fshehur asnjëherë prirjet e tij seksuale dhe ka qenë gjithmonë i hapur me median sa i përket kësaj pike.

“E di se kur im bir të rritet dhe të shkojë në shkollë, do të ketë shumë presione dhe njerëz që do t’i thonë se nuk ka një nënë. I dinim mirë të gjitha këto përpara se të vendosnin të kishim një fëmijë. Prandaj, ai duhet të ketë gjithmonë një njeri që ta mbështesë”, – është shprehur Elton John.

26 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)