Ylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora, ka shënuar një tjetër sukses të madh në karrierën e saj. Ajo është nominuar për herë të parë në çmimet prestigjioze Nickelodeon Kids’ Choice Awards, në kategorinë “Favourite Villain” (Antagonistja më e preferuar) për rolin e saj si Queen of Hearts në filmin “Descendants: The Rise of Red”.

Lajmin e bukur e ka ndarë vet këngëtarja me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë nominim si një moment të veçantë dhe të rëndësishëm në karrierën e saj artistike. Për publikun e ri të Nickelodeon, roli i saj si Mbretëresha e Zemrave ka qenë një paraqitje mbresëlënëse, që e bëri Rita-n të spikaste në një univers të dashur për adoleshentët dhe fëmijët.

Ky nominim vjen si dëshmi e shkathtësisë së saj artistike, jo vetëm në muzikë, por edhe në aktrim. Ndërkohë, Rita Ora nuk ndalet me kaq. Së fundmi, ajo ka paralajmëruar këngën e saj më të re, që mban titullin “Heat”, e cila do të publikohet më 6 qershor. Fansat e saj në mbarë botën tashmë janë në pritje të këtij projekti muzikor, i cili pritet të jetë një hit i verës.