Pastori i njohur, Paulin Vilajeti, ishte një ditë më parë i ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, ku u diskutua në lidhje me një raport të OKB.

“Vendi më i rrezikshëm për gratë është shtëpia e tyre. 70 për qind e grave vuajnë nga dhuna seksuale, fizike ose psikike , të paktën një herë në jetën e tyre”, thuhet në raportin e OKB-së.

Ndërkohë në studio u ngrit pyetja ‘se si është situata në vendin tonë?’.

Në fjalën e tij, pastori u shpreh se qëndron shumë në rrjetet sociale dhe ka vënë re se si vajza dhe djem të rinj përdorin një gjuhë të turpshme.

“Unë kam thënë që në këtë jetë dua të mbahem mend për dy gjëra, që i kam predikuar gjithë jetën. Që Jezu Krishti është Zot dhe e dyta ju lutem mos pështyni në tokë. I thashë një burri ‘mos pështy o zotëri’, ‘pse ku je në Paris që të mos pështyj në tokë’, tha. I thashë ‘nuk jam në Paris, jam në Tiranë por që e dua si Parisin’.

Të flasim për rrjetet sociale, unë jam shumë aktiv. Shoh shumë femra që janë në “TikTok” që fjalori që përdorin është aq i turpshëm. Kam dëgjuar një vajzë nga fillimi deri në fund. Kishte 1800 ndjekës që e ndiqnin duke sharë e duke përdorur fjalor të poshtër. Më pas ishte një djalë që dhunonte nga ana e fjalëve që i thoshte një vajze dhe ajo qeshte. Kishte mbi 2900 persona që e ndiqnin.

Dhuna na ka hyrë në palcë, si shoqëri. Rrjete sociale janë në problem shumë i madh në shoqërinë tonë. Jam i habitur se si këta persona janë personazhe dhe njihen. Si është e mundur që policia nuk reagon? Shteti këtu duhet të ndërhyjë. Nuk ka krim më të madh kibernetik që të dalë tjetri të të degjenerojë publikisht, pa të njohur, pa patur asnjë marrëdhënie me ty, thjesht të ka parë diku, nuk është dakord me ty dhe del e të shan nga e para e deri mbrapa”, tha pastori i njohur.

Vilajeti gjithashtu tregoi edhe një rast që i kishte ndodhur teksa ishte në makinë me bashkëshorten e tij. Ai u shpreh se kishin bllokuar rrugën dhe i kishte rënë borisë.

Sipas pastorit, kishte dalë një vajzë nga makina tjetër dhe e kishte sharë ‘me rob shtëpie’.

“Unë para dy ditësh isha me makinë dhe kishin bllokuar rrugën. I rashë borisë dhe më del një vajzë e re dhe më shan me rob shtëpie. Ngela dhe i thashë ‘më falni zonjë’. Dhuna verbale është shqetësuese”, përfundoi pastori.