Ka kaluar një vit që kur këngëtarja e famshme, Jessie J, zbuloi se kishte humbur fëmijën e saj. Ajo njoftoi se kishte humbur fëmijën në nëntor të vitit 2021, pak orë përpara se të performonte në një koncert në Los Angeles.

34-vjeçarja ka bërë tani një postim mjaft prekës në rrjetet sociale, ku shprehet se edhe pse ka kaluar kohë ende dhemb.

“Sot, një vit më parë më thanë se fëmija im nuk kishte më rrahje zemre” , nisi ajo mesazhin e saj në “Instagram”, duke shtuar: “Edhe pse mund ta tregoj historinë tani pa qarë, ende po zbuloj të gjitha gjërat pozitive që më dha kjo përvojë. Forcë, mençuri, ndjeshmëri dhe mirënjohje”.

Megjithatë, ajo pranoi se “ende dhemb”. “Gjithë ditën mendoj vetëm për të gjitha gratë, burrat dhe familjet që kanë kaluar të njëjtën gjë pa pushim dhe sa të fortë janë ata. Pikëllimi është një udhëtim kaq i çuditshëm dhe personal. Koha ndihmon, por kjo gjë nuk zbehet kurrë.

Të dërgojmë dashuri dhe forcë në zemrën e kujtdo që po kalon ose e ka kaluar këtë. Dhe engjëllit tim të vogël. Të ndjej kudo. Sidomos sot”, përfundoi këngëtarja e famshme.