Një vit pas ndarjes së parakohshme nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, familjarët e tij kanë organizuar këtë të diel, më 29 nëntor, një mbrëmje përkujtimore në nder të jetës dhe karrierës së artistit.

Aktiviteti ka nisur në orën 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku familjarë, miq, kolegë dhe admirues të këngëtarit janë mbledhur për të kujtuar figurën dhe trashëgiminë e tij muzikore.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, familja Kasapi ka ftuar të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar artistin t’i bashkohen kësaj mbrëmjeje.

Shpat Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, në moshën 40-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa ndodhej në Itali. Lajmi për humbjen e tij tronditi publikun dhe komunitetin e muzikës shqiptare.

Në kuadër të njëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta, kujtime për artistin u ndanë edhe në studion e emisionit “E diell” në Top Channel. Miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij rrëfyen momentet e fundit me këngëtarin, ndërsa prezantuan edhe një krijim muzikor të papublikuar më parë, të titulluar “Kur u ndamë”.

Gjatë emisionit u zbulua gjithashtu se Shpat Kasapi kishte lënë pas edhe një tjetër këngë, me titull “Lamtumirë”, për publikimin e së cilës bashkëpunëtorët e tij do të kontaktojnë me familjarët.