Influencerja e njohur Emilie Kiser ka bërë të ditur se do të tërhiqet përkohësisht nga rrjetet sociale dhe xhirimet, teksa po afrohet njëvjetori i humbjes tragjike të djalit të saj 3-vjeçar, Trigg.

Përmes një videoje prekëse në TikTok, Emilie rrëfeu se ky muaj ka mbetur “i gdhendur” në jetën e saj dhe të familjes, duke pranuar se dhimbja vazhdon të jetë shumë e fortë edhe pas kalimit të kohës.

Ajo tregoi se nuk mund ta besojë që po bëhet pothuajse një vit nga tragjedia dhe se, sipas saj, koha gjatë zisë nuk ecën normalisht, por matet me momente dhe përpjekje për të kaluar ditën.
Trigg humbi jetën më 18 maj 2025, disa ditë pasi kishte rënë në pishinën e shtëpisë së familjes. Në atë moment, Emilie nuk ndodhej aty, ndërsa bashkëshorti i saj, Brady Kiser, po kujdesej për djalin e tyre më të vogël, Theodore.

Pas ngjarjes së rëndë, influencuesja ndërmori edhe hapa ligjorë për të mbajtur private raportet dhe dokumentet që lidheshin me vdekjen e të birit.
Me mbi 7 milionë ndjekës në TikTok dhe Instagram, Emilie u shkëput për disa muaj nga rrjetet sociale pas tragjedisë. Tani ajo pranoi se afrimi i kësaj date po e ndikon jo vetëm emocionalisht, por edhe fizikisht.
Ndihem e rraskapitur dhe e lodhur
-u shpreh ajo, duke shtuar se, edhe pse do të donte të qëndronte gjithë ditën në shtrat, duhet të jetë e fortë për familjen e saj.

Në fund të mesazhit emocional, Emilie konfirmoi se do të ndalojë përkohësisht xhirimet dhe aktivitetin online për t’iu përkushtuar plotësisht familjes dhe vetes gjatë kësaj periudhe të vështirë.
