Gati një vit pas ndarjes së parakohshme nga jeta të këngëtarit të njohur, Liam Payne, emri i tij vazhdon të frymëzojë mirësi dhe solidaritet.
Familja e artistit të ndjerë, i cili ndërroi jetë në moshën 31-vjeçare në Buenos Aires më 16 tetor të vitit të kaluar, ka arritur të mbledhë afro 290 mijë euro përmes një fushate donacionesh në ndihmë të fëmijëve të prekur nga kanceri.
Fushata në fjalë nisi në nëntor, gjatë funeralit të këngëtarit, ku familja bëri thirrje që kushdo që donte të nderonte kujtimin e Liamit, ta bënte këtë përmes një donacioni.
Edhe pse faqja zyrtare e “JustGiving” shfaq shifrën 39,400 euro, burime pranë organizatorëve bëjnë të ditur se shuma totale ka arritur në gati 290 mijë euro.
Këto fonde do të ndihmojnë në ndërtimin e një njësie të specializuar në spitalin pediatrik “Great Ormond Street” në Londër, një prej qendrave më të njohura për trajtimin e kancerit te fëmijët.
Drejtoresha për mbledhjen e fondeve në spital, Liz Tait, tha se bujaria e treguar në kujtim të Liamit do të lërë një gjurmë të qëndrueshme: “Çdo kontribut na afron më shumë drejt synimit për t’u bërë një qendër botërore për trajtimin e kancerit tek fëmijët.”
I njohur për ndihmën e tij në kauza humanitare edhe gjatë jetës, Payne dikur kishte dhuruar mbi 11 mijë euro brenda një nate për fëmijët e sëmurë. Trashëgimia e tij sot po shpëton jetë.