Gjatë një episodi të fundit të emisionit të saj, Kim Kardashian pohoi se ulja në Hënë ishte e sajuar. Lidhur me këtë deklaratë të papritur të yllit televiziv ka vendosur që të reagojë vetë NASA.
Administratori në detyrë i agjencisë hapësinore amerikane, Sean Duffy, ka bërë një reagim përmes një postimi në rrjetin social X, duke e demantuar miliarderen.
“Po, Kim Kardashian, ne kemi qenë në Hënë më parë, gjashtë herë”, pohoi Duffy, derisa potencoi po ashtu se NASA po bëhet për misionin e saj të ardhshëm në Hënë.
Po çfarë tha Kim Kardashian?
E gjitha filloi në episodin e fundit të serialit “Kardashians”, ku Kim po shfaqte prapaskenat nga xhirimet për serialin e saj të ardhshëm, “All’s Fair”.
Gjatë një pushimi në xhirime, ajo i shprehu dyshimet e saj duke bërë një bisedë me kolegen e saj aktore, Sarah Paulson.
“Po të dërgoj, deri tani, një milion artikuj dhe intervista me Buzz Aldrin dhe… tjetrin”, tha Kardashian, duke iu referuar të ndjerit Neil Armstrong.
Ndërsa po përgatiteshin për xhirime, Kardashian i tregoi një intervistë që pa të astronautit Aldrin, të cilin e kishin pyetur se cili ishte momenti më i frikshëm i udhëtim, derisa Aldrin u përgjigj se nuk kishte një moment më të frikshëm, sepse nuk ndodhi. Mund të kishte qenë i frikshëm, por nuk ishte, sepse nuk ndodhi’”.
Ishte pikërisht kjo deklaratë e tij, të hidhte disa dyshime tek miliarderja.
Kardashian i shpjegoi koleges së saj se mendonte që Aldrin, 95 vjeç, ishte “plakur” dhe po bënte komente që e bënin të vinte në dyshim faktet rreth misionit Apollo 11.
“Kjo është arsyeja pse nuk mendoj se ka ndodhur”, përfundoi ajo. Paulson as nuk i konfirmoi dhe as nuk i mohoi pretendimet e saj, por tha se do të “merrej seriozisht” për këtë temë në një moment të caktuar.
Pasi skena u xhirua, Kardashian vazhdoi bisedën e saj me një nga producentët në trailer-in e saj.
“Nuk mendoj se shkuam në Hënë. Mendoj se ishte e sajur”, përsëriti ajo, duke shtuar se Aldrin “e thotë këtë gjatë gjithë kohës në intervista tani”.




