Për shumicën e njerëzve, prezantimi është një formalitet i shkurtër – një shkëmbim emrash që zgjat vetëm disa sekonda. Por për Laurence Watkins, ky është një proces që kërkon durim, frymë të gjatë dhe 20 minuta kohë. Arsyeja? Ai ka emrin më të gjatë në botë, me plot 2,253 fjalë.
Historia e tij u bë publike për herë të parë në vitin 1991, gjatë martesës së tij të parë. Celebruesi kishte përgatitur paraprakisht një regjistrim me listën e pafund të emrave të tij, i cili zgjati aq sa të ftuarit patën kohë të pinin shampanjë përpara se ai të arrinte të thoshte “Po”.
Sot 60-vjeç, me origjinë nga Auckland, Zelanda e Re, por banues në Sidnei, Watkins mban rekordin e Guinness World Records për emrin personal më të gjatë në botë. I lindur si Laurence Gregory Watkins më 1965, ai ishte magjepsur që në fëmijëri nga programi “Ripley’s Believe It or Not!” dhe më vonë nga “Libri i Rekordeve Guinness”.
“Isha i mahnitur nga njerëzit që thyhen rekorde — më i shpejti, më i gjati, më i forti. Doja edhe unë të isha pjesë e atij libri,” ka treguar ai për CNN. Por siç thotë me humor, “si një njeri krejt normal, pa ndonjë dhunti të jashtëzakonshme, mendova se mënyra ime për të hyrë në histori ishte të krijoja emrin më të gjatë që ekziston”.
Watkins kaloi një muaj të tërë duke përzgjedhur emra nga kultura dhe gjuhë të ndryshme, nga latinët e deri te Māori. Ai pagoi 230 dollarë për një daktilograf që t’i shtypte të gjithë në letër. Përfshiu emra nga librat për foshnja, nga fjalorë, madje edhe personazhe të njohur si Basil Brush apo Mitch Gaylord — “sepse ishte një djalë simpatik,” thotë ai duke qeshur.
Në vitin 1990, kërkesa e tij për ndryshimin zyrtar të emrit u pranua nga Gjykata e Qarkut të Auckland-it, pasi fillimisht ishte refuzuar nga regjistri civil. Dy vjet më vonë, Guinness e njohu zyrtarisht rekordin e tij si emri më i gjatë i regjistruar ndonjëherë, fillimisht me 2,310 fjalë, e më vonë i konfirmuar me 2,253.
Në jetën e përditshme, ai përdor vetëm versionin e shkurtuar “Laurence Alon Aloy Watkins” dhe firmos si Watkins V, por emri i plotë mbush shtatë faqe në certifikatën e lindjes. Madje, pasaporta e tij origjinale kishte nevojë për gjashtë faqe shtesë vetëm për emrin!
Pas këtij episodi, qeveria e Zelandës së Re ndryshoi ligjin, duke vendosur kufizime të rrepta për emrat e rinj: ndalohen titujt zyrtarë, fjalët fyese, numrat, simbolet dhe emrat mbi 70 karaktere.
“Nuk pendohem për asgjë,” thotë Watkins. “Nëse do të ndryshoja emrin sot, do të duhej të hiqja 98% të tij — dhe do të humbisja rekordin tim Guinness. Dhe kjo ishte gjithë ideja.”