Instruktori i palestrës, Remil Peqini, ka qenë i ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ka folur më shumë për kujdesin që duhet të tregojmë këtë periudhë festash, si t’i rezistojmë ëmbëlsirave, por gjithashtu ai ka komentuar edhe banorët e “Big Brother VIP 5″…
Pjesë nga intervista:
Një deklaratë e jotja është bërë virale në rrjet ku thua se vithet nuk mund të bëhen me pesha të rënda. Si qëndron e vërteta?
Ajo që doja të thoja është që shumica e klientëve të mi, nuk kanë bërë atë trupin që kanë dëshiruar me pesha shumë të rënda. Sepse këto peshat shumë të rënda ndonjëherë sjellin dhe dëmtime. Dhe shumë nga klientët që po më vijnë tani, sidomos vajza, po më ankohen që instruktorët i kanë futur në pesha shumë të rënda dhe tani janë me dhimbje të shtyllës kurrizore. Deklarata ime ishte kjo, ti nuk ke pse stërvitesh me një peshë shumë të madhe, le të marrim konkretisht një peshë 100 kg për vithe, ti mund ta ulësh atë në 70 kg dhe të bësh më shumë përsëritje dhe ke efekt akoma dhe më të mirë. Sepse pjesa e poshtme e trupit funksionon shumë ndryshe nga pjesa lart. Pjesa lart mund të dojë pesha më të mëdha, po pjesa poshtë e trupit do më shumë përsëritje dhe jo pesha shumë të mëdha që ti nuk mund t’i kontrollosh. Muskuli do që të kontrollohet, duhet të kontraktohet dhe të hapet maksimalisht. Nëse ti e bën me një peshë të madhe këtë, nuk do e kesh këtë kontroll, padiskutim dhe efekti nuk do jetë ai që ti dëshiron. Kështu që, një peshë më e vogël, kontrolli më i mirë, më shumë përsëritje dhe efekti është më i mirë. Kjo ishte deklarata ime.
Por jam dakord që do ketë shumë instruktorë të rinj tani që duan të marrin atë famën e klikimeve, disa nga ato unë i kam pasur klientë. Tani me 3-4 vite eksperiencë, ti mund të marrësh disa informacione nga Google dhe ChatGPT dhe t’i shpalosësh në rrjete sociale, shumica nuk e dinë se kush është e vërteta dhe padiskutim që do marrin klikime. Puna është që kush jep rezultat. Njerëzit duhet të dinë një gjë, ky sport nuk mësohet me diploma 300 euro që mund t’i blesh online, është një sport që vjen vetëm nga praktika. Gurutë më të mëdhenj të bodybuilding janë pa shkollë, sepse është thjesht çështje eksperience. Çdo fizik funksionon ndryshe dhe çdo fizik do një stërvitje ndryshe. Aq më tepër dhe tek ushqimi që është pjesa më e rëndësishme e këtij sporti. /TAR/


