Moderatorja e dashur për publikun, Kiara Tito, ka reaguar për herë të parë pas deklaratës së koleges së saj, Dojna Mema, e cila disa ditë më parë shprehu habinë se Kiara e kishte hequr nga “followers” në “Instagram” pa asnjë arsye.

“Kiara më ka hequr nga ‘followers’ dhe nuk e di pse, kot”, tha Dojna së fundmi gjatë një interviste.

Ky koment ndezi menjëherë reagime në rrjet, duke ngritur dyshime për një ftohje të marrëdhënies midis dy moderatoreve, të cilat dikur kanë pasur një raport miqësor.

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, në emisionin “Goca dhe Gra”, Kiara vendosi të sqarojë publikisht situatën, duke mohuar që ajo të ketë bërë ndonjë veprim të tillë.

“Nuk e kam hequr unë, më ka hequr Dojna vetë. Të diskutosh këtë është si diskutim adoleshentesh. Kemi qenë kolege, kemi pirë kafe, kemi ngrënë bukë në një shtëpi. Nëse do ishte kjo merakosje kaq e madhe, do të ishte bërë kjo bisedë jashtë kamerave”, tha moderatorja e “Portokallisë”, duke hedhur poshtë zërat për një konflikt personal.

Tito shtoi më tej se është mësuar të përfshihet në komente apo thashetheme pa bazë, por zgjedh të mos e ushqej vëmendjen mediatike me konflikte të panevojshme.

“Hajde të themi emrin e Kiarës dhe hajde të klikohemi. Unë nuk bëj karrierë me emrat e të tjerëve. Shumë herë jam sulmuar pa të drejtë, por nuk jam viktimizuar”, përfundoi Kiara Tito.