Një modele e re nga Venecia, aktive në platformën Onlyfans akuzohet se i ka fshehur shtetit italian të ardhura prej 422,000 eurosh, duke mos paguar taksat për një periudhë 5 vjeçare. Vajza në të njëzetat e saj është banore e qytezës së Mestres. Ajo ka rreth 350,000 ndjekës në mediat sociale dhe mbi 73 milionë shikime, ‘asete’ të cilat i siguruan mbi 420 mijë euro përmes shitjes së imazheve dhe videove erotike në kanalin e saj në Onlyfans.

Gjithçka kryhej në të zezë, pasi hetimi i kryer nga Policia Financiare e Venedikut, siç raportohet nga Corriere del Veneto, zbuloi shmangien e taksave prej modeles me origjinë nga Evropa Lindore. Që nga viti 2021, ajo kishte filluar të krijonte dhe shiste përmbajtje online në platformat më të njohura të industrisë, duke filluar me Onlyfans. Rrjeti social u lejon përdoruesve të postojnë imazhe dhe video eksplicite që mund t’i shohin duke u abonuar në kanalin e prodhuesve të kontentit. Përveç akuzave për mospagesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe taksave, vajza u akuzua edhe për të ashtuquajturën taksë etike, e vendosur ndaj individëve që prodhojnë dhe shesin materiale pornografike.